Është ora 11:40 e kësaj të shtune, e këta punëtor të ndërtimtarisë nuk do duhej të ishin duke punuar në ambient të jashtëm në këtë kohë.
Kjo pasi që si shkak i temperaturave të larta nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili parasheh që deri më 20 korrik, ata të mos punojnë në ekspozim të diellit nga ora 11:00 e deri në ora 17:00 të ditës.
Vendimi, po ashtu parasheh që gratë shtatzëna të lirohen nga puna ose në rast të pamundësisë së lirimit, ato të punojnë nga shtëpitë.
Kurse, punëtorët me sëmundje të kronike duhet të punojnë me gjysmë orari.
Por, jo të gjitha kompanitë e kanë zbatuar vendimin në ditën e parë. Andaj, këshilltari për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Egzon Azemi, i ka thënë televizioni Duakgjini se Inspektorati i Punës ka shqiptuar dhjetëra gjoba.
“Vetëm në Prishtinë janë gjobitur rreth 16 kompani, prej tyre 15 janë kompani ndërtimi, të cilat nuk kanë respektuar vendimin e ministrisë. Kurse një kompani që kryen veprimtari tjetër është gjobitur pasi gjatë vizitës së inspektorëve janë hasur duke punuar tri gra shtatzëna në dy filiale të kompanisë. Kurse jashtë Prishtinës janë gjobitur së paku edhe 11 kompani të tjera, kryesisht të ndërtimtarisë”, ka thënë ai.
Për të parë nëse ky vendim po respektohet në teren doli e kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat.
Jusuf Azemi tha se është i kënaqur nga ajo që ka parë.
“Pjesën dërrmuese kompanitë janë të informuara për vendimin e qeverisë, mund të themi që pjesën më të madhe janë duke e respektuar. Ka disa kompani të cilat unë i kam nxanë duke punuar, në marrëeshje me ta, jemi marrë vesh që të ndërprehen punimet”, ka thënë Azemi.
Shqetësim i Azemit mbetet mundësia që bizneset t’i ndalin mëditjet për punëtoret, sidomos ata që paguhen me ditë për punën e tyre, siç ndodhë në sektorin ndërtimtarisë.
“Nëse ndonjë kompani ndalë mëditjet për këta punëtor duhet të lajmërohen tek ne. Është shumë normal që punëtorët t’i përshtaten orarit prej orës 5 të mëngjesit deri në 11 dhe pastaj prej orës 5 pasdite deri në 7-8”, vijon ai.
Punimet ishin ndalur edhe në rrugën Prishtinë-Podujevë, pikërisht për shkak të temperaturave të larta në pikun e ditës.