Kujtimet në kodrat e lirisë: Paralelja që mësoi nën qiell të hapur
Aferdita Hajdini, Agim selimi, Avni Azemi, Bahrije Azemi, Bahri Avdullahu, Bedrije Kastrati, Bekim Namani, Bekim Deliu, Bekim Fejzullahu, janë vetëm nëntë prej 31 nxënësve të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, paralelja e ndarë në fshatin Orllan të Podujevës. Kjo gjeneratë e fundit të viteve 80, ka një histori krejtësisht unike, me improvizimin si kryefjalë, por edhe me […]
Aferdita Hajdini, Agim selimi, Avni Azemi, Bahrije Azemi, Bahri Avdullahu, Bedrije Kastrati, Bekim Namani, Bekim Deliu, Bekim Fejzullahu, janë vetëm nëntë prej 31 nxënësve të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, paralelja e ndarë në fshatin Orllan të Podujevës.
Kjo gjeneratë e fundit të viteve 80, ka një histori krejtësisht unike, me improvizimin si kryefjalë, por edhe me rrezikun e vazhdueshëm që i ndiqte prapa.
Në vendin ku ndiqnin mesimet, mbi 30 vite më parë, është vështirë për të depërtuar edhe me veturë.
Por, procesi mësimor, pavarësisht kushteve aspak normale, në dëshmitë e ruajtura edhe sot, duket fare mirë i organizuar.
Ditarët e improvizuar me secilin detaj në të, të dhënat për vijueshmërinë e nxënësve e mësimdhnësve, tregojnë për një dedikim të jashtëzakonshëm, marrë parasysh se gjithçka po bëhej në qiell të hapur e shpesh me rrezikun e ballafaqimit me pjesëtarë të regjimit serb.
Ngjashëm si këtu çdo ditë do të ndërroheshin lokacionet edhe në tri kodra të tjera të malësisë së Gollakut.
Rruga çdo herë do të shkonte duke u vështirësuar, por qëllimi i bënte mos të dorëzoheshin.
Për të shmangur zbulimin, organizatorët kishin disa lokacione që i shfrytëzonin, por në disa raste ishin fare afër ballafaqimit me policinë serbe.
Një prej rasteve të tilla ishte në fshatin Brainë, por përveç tyre, mësimdhënësit e nxënësit, nuk ishin të vetëm, pasi edhe dikush tjetër përkujdesej për ta, për çdo eventualitet.
Adem Zeqiri, është një prej banorëve të shumtë të Brainës, që kishte kontribuar në mbarëvajtjen e mësimit, në forma të ndryshme.
Çdo ditë e asaj periudhë është histori në vete.
Mësimit të imponuar nën qiell të hapur në këtë rast në Orllan gjatë kësaj periudhe, ishin sinjalet që Serbia, po synonte shtypjen e plotë për gjithçka që lidhej me gjuhën shqipe.
Pasi suprimoi pavarësinë e sistemit arsimor të Kosovës me një vendim të parlamentit në gusht të vitit 1990, largoi nga puna të gjithë mësimdhënësit që nuk u rreshtuan prapa programeve të reja që i hartuan vet.
Të freskëta në kujtime i kanë edhe momentet kur për të ardhur deri në objektin e shkollës do të duhej të kalonin para stacionit policor, e ballafaqoheshin me situata të rënda.
E sikur për të qenë dëshmi e asaj periudhë, ky objekt vazhdon edhe sot të qëndroj në këmbe.
Por, ndonëse të rijnë në moshë, frika nuk ishte asnjëherë pjesë e tyre. Të palëkundur ata do të vazhdonin procesin mësimor për më shumë se një vit në këto rrethana..
Dhe mundi, si për gjeneratën, edhe për Ibrahim Pajazitin që ishte pjesë e saj, u shpërblye.
Derisa historia e kombit po shkruhej në kohët më të vështira, mësimdhënësit kishin dalë si udhëheqës frymëzues, që me dijen e shpërndarë, mbajtën gjallë shpresën dhe ishin kujdestarë të dritës në errësirën e konfliktit.















