Përpos pagesës nga pikat grumbulluese apo qumështoret, bujqit e Kosovës do të ndihmohen me nga 2-7 centë për litër të qumështit. Vlera e subvencionit varet nga cilësia e produktit të tyre.

Deri më datë 19 të këtij muaji është e hapur mundësia për aplikim në Ministrinë e Bujqësisë.

Për vlerën e ndihmës nuk kanë vërejtje por Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, po e kundërshton një kriter të vendosur, noterizimin e kontratës në mes fermerëve dhe qumështoreve. Arsye, që sipas tyre ka ndikuar që disa bujq të heqin dorë nga aplikimi.

“Unë njoh shumë fermerë dhe kam pasur shumë kontakte me fermerë të cilët në momentet e fundit kanë hequr dorë nga subvencionet pikërisht për shkak se për shkak të këtyre procedurave janë të komplikuara dhe kjo është burokraci dhe është e tepërt”, ka deklaruar Ramadan Memaj nga Shoqata e Qumështorëeve të Kosovës.

Memaj po ashtu ankohet për çmimin që po aplikojnë noterët e që sipas tij nuk është në përputhje me vitet paraprake.

“Vitin e kaluar ka pasur raste kur noterizimi i kontratave është bërë edhe me dy euro e gjysmë.02.41..03.04 Ndërsa këtë vit shkon deri në 30 euro ka raste sporadike kur edhe ky shërbim kryhet me çmim më të ulët. Bujqit kryesisht të zonës së Prizrenit janë të irrituar për këtë çështje”.

Këtë ankesë e ka mbështetur edhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit.

“Kjo letër është e tepërt është humbje kohe për prodhuesit, jemi të sigurt edhe për përpunuesit por jemi edhe më të sigurt edhe për vet Ministrinë e Bujqësisë. Kjo vetëm e komplikon dhe e shton dokumentacionin e nuk e zgjidh e nuk jep ndonjë lehtësim dhe nuk jep siguri ekstra që me thënë që po sigurohemi që fermeri dhe qumështoret janë duke bashkëpunuar”, ka deklaruar Ardian Purrini, nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit.

Për dallim prej tyre pronarë të qumështoreve thonë se e kanë mirëpritur kriterin që të noterizohen kontratat.

“Po ne në kompaninë tonë i kemi 400 fermerë, ndërsa çmimi (noterizimi) i kontratës ka kushtuar rreth 7 euro. Kohë nuk ka marrë shumë kjo procedurë, brenda një muaji i kemi kryer të gjithë…”, ka thënë drejtori ekzekutiv, Granit Berisha.

Edhe Sekretari i Odës së Noterëve, Erdon Gjinolli, për RTV Dukagjini ka deklaruar se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë për rritje të çmimeve.

Ndërkohë Ministria e Bujqësisë përkundër se e kanë konfirmuar se i kanë pranuar pyetjet gjatë ditës lidhur me ankesat nuk janë përgjigjur.