Bekim Kupina, këshilltar për Media në zyrën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për Portalin Dukagjini ka thënë se Osmani nuk do ta dekretojë ligjin për pagën minimal deri në një vendim përfundimtarë nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar presidenten Osmani për kontestimin e ligjit, pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

“Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar presidenten se ky ligj mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasi Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, ka thënë Kupina.

“Ligji nr 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficioneve në lartësi të shkallës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore është dërguar dhe kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndaras nga kontestimi që i është bërë vendimit për thirrjen e seancës së datës 13 korrik”, ka përfunduar Kupina, këshilltar për Media në Presidencë.