Kurrizi i mbyllur për renovime por aty s’punohet, Komuna: E pamundësuan temperaturat
Është ditë pune por jo edhe për kompaninë private që ka fituar me kontratë publike renovimin e “Kurrizit” në Dardani. Janë bërë pesë muaj qëkur punimet kanë nisur ndërsa tuneli nuk rezulton më ndryshe sesa që ishte ditën e parë. Tanimë, i njëjti po shfrytëzohet nga banorët si parking për vetura. E se në këtë […]
Është ditë pune por jo edhe për kompaninë private që ka fituar me kontratë publike renovimin e “Kurrizit” në Dardani.
Janë bërë pesë muaj qëkur punimet kanë nisur ndërsa tuneli nuk rezulton më ndryshe sesa që ishte ditën e parë.
Tanimë, i njëjti po shfrytëzohet nga banorët si parking për vetura.
E se në këtë tunel nuk po punohet as me intensitet mesatar, e thonë edhe banorë të kryeqytetit.
“Tu punu në këtë tunel moti nuk i kam parë. I kam pa në hyrje të tunelit pata dy muajve andej kah është përmendorja e Bill Klintonit, më nuk i kam pa. S’di çka po bën Përparim Rama. Edhe mbyllja e këtij tuneli e ka vështirësu komunikacionin”, ka theksuar Kosem Mjeku – Banor i “Dardanisë”.
Edhe banorë të tjerë mbrapa kamerës tregojnë se ditët në të cilat ka pasur punime, janë të rralla.
Komuna, që u mburr kur nisi punimet në këtë vend, si një nga projektet për transformim të kryeqytetit, mospunën e arsyetojnë me temperaturat e ulëta.
“Siguria dhe shëndeti i punëtoreve është në rend të parë. Kemi pas temperatura të ulëta -8-2 shkallë C gjatë muajit Janar dhe Shkurt dhe kjo e ka pamundësuar aplikimin e materialeve në vendpunishte. Sa për sqarim aplikimi i materialeve është në kushte minimale temperaturat duhen të jenë mbi 6shkalle C. Përkundër kësaj kohe kemi mund të punohen kanalet e ventilimit që do ta ventilojnë ajrin e ndotur nga gazërat e veturave dhe pronarët e lokaleve zejtarë gjë qe 45 vite nuk është ventilu kjo hapësirë! Nga kjo jave kemi përmirësim të motit dhe kjo e mundëson vazhdimin e punimeve në teren”, ka deklaruar Gezim Kastrati, Drejtor i Drejtorisë së Transformimit të Kryeqytetit.
Kastrati ka deklaruar se plani parasheh që punimet të përfundojnë deri në fund të muajit qershor. Megjithëkëtë, ai parasheh që kjo të kryhet edhe më herët dhe thotë se operatori ekonomik do t’i kryej punët deri në fund të muajit maj.















