Kurteshi: Ka bojkot nga votuesit serbë, nuk ka incidente
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, ka thënë se mbetet evident një bojkotim i votuesve serbë, ndonëse jo njëqind për qind. Në një intervistë për Dukagjinin në edicionin special informativ, Kurteshi ka treguar se deri tani nuk ka pasur incidente. “Me gjasë ka me të vërtetë një bojkot, s’po them njëqind për qind, por jashtëzakonisht të […]
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, ka thënë se mbetet evident një bojkotim i votuesve serbë, ndonëse jo njëqind për qind.
Në një intervistë për Dukagjinin në edicionin special informativ, Kurteshi ka treguar se deri tani nuk ka pasur incidente.
“Me gjasë ka me të vërtetë një bojkot, s’po them njëqind për qind, por jashtëzakonisht të madh të votuesve nga komuniteti serb, mirëpo nuk ka incidente deri tani”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Kurteshi ka thënë se KQZ-ja ka bërë të gjitha veprimet e nevojshme për t’iu dhënë mundësinë votuesve të votojnë.
Ai ka theksuar se mbetet detyrë e Kosovës të tregojë formën “e drejtë” të sovranitetit.
“Kemi bërë përpjekje që t’iu ofrojmë mundësinë votuesve të shprehin vullnetin e tyre politik…Shteti i Kosovës e ka për detyrë të tregojë se sovraniteti i cili fitohet përmes votës në mënyrë ligjore dhe kushtetuese, duhet të shtrihet në gjithë vendin. Ata që janë të interesuar mund të marrin pjesë në votime, ta shprehin vullnetin e tyre politik, përndryshe kjo është gjendja”, ka deklaruar Kurteshi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e qytetarëve që kanë dalë të votojnë në zgjedhje në komunat veriore deri në orën 11:00, të dielën.
Në total, 313 qytetarë votuan deri në orën 11:00.
Pas tregimit të shifrave, Elezi u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, duke i inkurajuar që të votojnë.
Në orën 15:30 do të jetë konferenca e radhës e KQZ-së, me ç’rast do të bëhet e ditur pjesëmarrja në votim e qytetarëve deri në orën 15:00.
Aktualisht, në veri të vendit janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Deri tani, situata ka qenë e qetë.
Që të tri komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë mbetur pa kryetarë të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.















