Në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe të çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se është e nevojshme të ketë botime akademike për gjithë atë që ka ndodhur në luftën e fundit.

Kryeministri Kurti ka theksuar se 25 vjet më parë, në mes të muajit qershor 1999, populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit.

Ai ka thënë se 25 vjet më parë u shuan edhe shpresat e politikës serbe për zbrazjen e Kosovës.

“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999 NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë…Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani i tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, ka deklaruar Kurti.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se përvjetorët si ky që shënojmë sot, ofrojnë një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, me këtë rast ka uruar që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen.