Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një deklaratë komemorative këtë të hënë, për të nderuar jetën dhe veprën e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra nga një grup terrorist më 24 shtator në veri.

Në deklaratën e tij, kryeministri Kurti shprehu krenari për Afrimin dhe për të gjithë policët e Policisë së Kosovës, duke theksuar se kjo ditë është një ditë për të bërë nderime të larta shtetërore dhe popullore për Bunjakun.

“E sotmja është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit Afrim Bunjaku, sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen ndiejmë krenari dhe besim për Afrimin dhe për gjithë policët e Policisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka vlerësuar veprimet profesionale dhe të guximshme të Policisë së Kosovës, duke theksuar se ata pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal terrorist.

Kurti, gjithashtu, ka theksuar se Afrim Bunjaku u vra në një sulm ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë nga një grup personash të armatosur dhe të trajnuar profesionalisht, të mbështetur politikisht dhe financiarisht nga Serbia.

“Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup peronash shumë të armatosur të dhe të pajisur rëndë të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Ai ka përmendur edhe operacionin profesional të policisë, që rezultoi me eliminimin e disa terroristëve dhe arrestimin e disa të tjerëve, si dhe neutralizimin e grupit të tyre.

Po ashtu, u konfiskuan shumë armë dhe mjete mbështetëse logjistike.

Kryeministri Kurti ka përfunduar deklaratën duke shprehur nderim dhe respekt për Afrim Bunjakun dhe duke u zotuar për drejtësi dhe kujdes.

Ai ka shtuar se janë të përkushtuar për ligjshmëri, kushtetutshmëri, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, dhe nderoi Afrim Bunjakun si hero të Republikës së Kosovës.

“Sot përballë e pranë fotografisë me portretin e Afrim Bunjakut me uniformë të Policisë së Republikës sonë dhe përball veprës së tij heroike përkulemi me nderime dhe respekt si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujdes. Ne bëjmë atë që duam sepse duhet, ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin pa dallim, lavdi rreshter Afrim Bunjakut, heroit të Republikës se Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës postmortem” rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht dje në veri në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës.

Sipas saj, Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë deri “sa ka vajza e djem si Afrimi që e vendosin fatin e të gjithëve para fatit individual”.

Ndryshe, rreshteri policor, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, pas një sulmi të armatosur nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në Zveçan, të banuar me shumicë serbe.