Kurti: Ajo që më udhëzon sot si kryeministër, është ideali i një shërbyesi të mirë
Një reflektim personal mbi demokracinë dhe krizat ka bërë të dielën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në ligjëratën e mbajtur para studentëve të Universitetit Brown, të organizuar nga Instituti Watson, në Boston të Massachusetss-it. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), si vend të lëvizjeve të […]
Një reflektim personal mbi demokracinë dhe krizat ka bërë të dielën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në ligjëratën e mbajtur para studentëve të Universitetit Brown, të organizuar nga Instituti Watson, në Boston të Massachusetss-it.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), si vend të lëvizjeve të mëdha progresive për liritë dhe të drejtat e njeriut, që shpesh burimin e kanë pasur nga studentët dhe universitetet amerikane, Kurti ka thënë se edhe rrugëtimi i tij politik ka nisur para njëzet e pesë vjetëve si student universiteti, nga një padrejtësi që i bëhej popullit të tij në të drejtën për shkollim të dinjitetshëm.
Po ashtu, ai ka rikujtuar angazhimin në Unionin Studentor të Universitetit të Prishtinës, fillimin e bashkëpunimit me Adem Demaçin, si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), arrestimin e tij nga regjimi i Millosheviqit dhe angazhimin politik pas daljes nga burgu, sërish si nevojë e një padrejtësie.

Në vazhdim të fjalës, shefi i ekzekutivit ka shtjelluar idetë udhërrëfyese dhe veprimet e “Lëvizjes Vetëvendosje”, fillimisht, si mosbindje civile ndaj pushtetit të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare.
“Nëse ndjenja e padrejtësisë ishte ajo që fillimisht më shtyu drejt aktivizmit politik, ajo që më udhëzon sot si Kryeministër i Republikës së Kosovës është ideali i një shërbyesi të mirë”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se gjatë vitit të kaluar, Qeveria është përballur menjëherë, me shumë sfida të vështira, ku përfshihen pasojat e pandemisë COVID-19.
“E megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, ne arritëm të kemi një rritje ekonomike të paprecedentë prej 10.53% gjatë vitit të kaluar, një pjesë e konsiderueshme e së cilës u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve ndaj qeverisë sonë”, ka thënë ai.
Lidhur me krizat e demokracisë në rajon, kryeministri ka thënë se “sa më demokratike të bëhen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, aq më të mëdha janë shanset për paqe afatgjatë dhe bashkëpunim ndërmjet kombeve në pjesën tonë të botës”.

“Me rrëshqitjen demokratike që po ndodh në sfondin e kërcënimeve kaq të mëdha ekzistenciale si, ndryshimi i klimës dhe lufta bërthamore, rreziqet janë shumë të larta që ne të qëndrojmë pa vepruar”, ka shtuar Kurti.
Pas përfundimit të fjalës, ka pasuar një interaktivitet pyetje-përgjigje me studentët dhe publikun e pranishëm në auditoriumin e Universitetit Brown.
Ndërkaq, të dielën e 22 majit, Kurti në Massachusetss është pritur në takim nga guvernatori, Charles Baker, takim në të cilin ai ka folur për mundësitë e investimit në Kosovë.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se rinia e talentuar, rritja ekonomike, rritja e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, me më pak se 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, trajtimi ndaj investitorëve të huaj dhe Gjykata Komerciale në themelim e sipër, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të të bërit biznes në Kosovë.
Ai, gjithashtu, ka theksuar klimën tërheqëse për investime, veçanërisht, në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Kurti në takim me guvernatorin e Massachusetts, diskutohet për investimet në Kosovë
Ndryshe, më gjashtë maj, Kurti ka filluar vizitën zyrtare në ShBA, ku është takuar me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave dhe me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC).















