Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një deklaratë në Forumin e Prespës në Strugë, ku ka thënë se mesa duket prokurori serb ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të kidnapuar në Kosovë.

Megjithatë, Kurti nuk ka dhënë detaje të tjera mbi këtë çështje në adresimin e tij.

“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, ka thënë ai.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhe ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë raportohet se po merren në pyetje tre policët e Kosovës.

Lajmin e kanë konfirmuar për REL-in Prokuroria e këtij qyteti në jug të Serbisë. Prokuroria nuk është përgjigjur se çfarë akuzash rëndojnë mbi tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, të mërkurën ka deklaruar se pretendimet se policët kosovarë ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.

Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.

Po ashtu, edhe avokati nga Serbia, Çedomir Stojkoviq, ka pretenduar se policët e Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, gjenden në Kralevë.

Sipas tij, aktualisht ndaj tyre është duke u zhvilluar seanca gjyqësore, ku Prokuroria do ta paraqesë kërkesën për paraburgim.

Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia

Kryeministri Kurti ka deklaruar se arrestimi i “Llunit” ka qenë një veprim që ka për qëllim deeskalimin e tensioneve, ndërsa rrëmbimi i tre policëve nga Serbia është një eskalim i situatës.

Sipas Kurtit, Kosova arreston ata që eskalojnë, ndërsa Serbia eskalon duke rrëmbyer ata që deeskalojnë.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ata besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin masa për ta zbutur situatën dhe ta respektojnë planin prej tre pikash të paraqitur nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i s’duhet të jetë i heshtur, e kishte mandat parandalimin e kidnapimit”

Ndërsa, Kurti ka thënë se është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për kdinapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës..

Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.

KFOR: Nuk ishim në zonën ku u arrestuan tre policët e Kosovës

KFOR-i nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur, siç e kanë cilësuar ata, arrestimi i tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat e Serbisë.

Kështu thuhet në një përgjigje të KFOR-it për RTV Dukagjinin.

Në përgjigjen e tyre thuhet se KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.