Kurti: Anti-fushata ndaj Policisë pas vrasjes së Agon Zejnullahut në Lipjan është e dëmshme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, rast në të cilin dyshohet se janë të përfshirë pesë zyrtarë policorë. Kurti tha se duhet pritur verdikti i plotë nga institucionet përkatëse, ndërsa kritikoi […]
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, rast në të cilin dyshohet se janë të përfshirë pesë zyrtarë policorë. Kurti tha se duhet pritur verdikti i plotë nga institucionet përkatëse, ndërsa kritikoi përpjekjet për të njollosur tërësisht Policinë e Kosovës.
“Dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve”, deklaroi Kurti në hyrjes të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën.
Ai theksoi se për të kuptuar tërësisht atë që ndodhi në natën e 7 korrikut, është i domosdoshëm një hetim profesional dhe i pavarur nga të gjitha institucionet përkatëse.
Sipas Kurtit, bashkëpunimi mes Policisë, Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Prokurorisë është kyç për të zbardhur të vërtetën.
“Pres hetim të thellë dhe të shpejtë që zbardh të gjitha rrethanat, në mënyrë që të vendoset drejtësia dhe të ketë llogaridhënie. Nuk do të ketë strehë për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka thyer ligjin gjatë detyrës zyrtare”, ka thënë Kurti.
Por ai kritikoi tendencën për të nisur një anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës, duke e quajtur të dëmshme dhe të padobishme.
“Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato duhet të bazohen në rezultatet e hetimeve dhe në verdiktin profesional”, shtoi ai.
Kurti përfundoi duke theksuar se vetëm përmes hetimit të plotë dhe vendimeve institucionale mund të arrihet drejtësia dhe të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla në të ardhmen.
Pesë policë po dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”. Atyre pritet t’u caktohet një muaj paraburgim.
Agon Zejnullahu humbi jetën në orët e para të së hënës, pasi ishte arrestuar me dyshimin se po sulmonte kalimtarë dhe automjete në rrugët e Lipjanit. Familja e tij pretendon se ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga zyrtarët policorë gjatë arrestimit.















