Kurti: Arrestimi i Krasniqit e gëzoi opozitën, në Prokurori ekziston disponim negativ ndaj Qeverisë

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka thënë se ekziston një "disponim negativ" ndaj qeverisjes aktuale dhe ndaj pushtetit të dalë nga 14 shkurti, dhe sipas tij, kjo lidhet me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa ka folur rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, ka thënë se në të kaluarën ka pasur “keqpërdorime marramendëse”, mirëpo sipas tij, ato asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë.

“Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro, natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Mirëpo zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e dështimeve për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero. Ndërsa, zelli për t’u marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me ekipin e vet dhe me punëtorët e KEK-ut ia solli 107 milionë euro fitim ishte maksima”, ka thënë ai gjatë seancës së Kuvendit.

Kurti ka thënë se është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi, por, siç ka shtuar ai, ky është “fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes”.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka dyshim se në Prokurorinë e Shtetit ka një “disponim politik negativ” ndaj Qeverisë.

“Të nderuar deputetë, unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit, dhe atë sa më lartë, aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë, por jo edhe ndaj qeverisjes sonë, por edhe pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i viti 2021, që e sollën ndryshimin e madh në Kosovë”, ka deklaruar tutje ai.

Dhe, sipas tij, e gjithë kjo lidhet me prokurorin Isufaj.

“Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së Dino Asanaj, e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa, në rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit te informimit në kryeministri Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Bëhet fjalë për një kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka fituar në gjykatë”, ka thënë tutje Kurti.

Pas arrestimit të kryeshefit Krasniqi, reagime të ashpra ka pasur edhe nga deputetët dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara.

Ata e konsiderojnë arrestimin e Krasniqit si pjesë e luftës politike kundër Qeverisë, duke thënë se kjo është hakmarrje e Blerim Isufajt që nuk po bëhet kryeprokuror.

Shija e redaktorit

111 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Sot 111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të...

Presidentja Osmani udhëton për në Tiranë, merr pjesë në Samitin...

Presidentja e Kosovës, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III...

“Revolta shqiptare ndaj osmanëve”, botimi i “The Spectator” më 1880...

Në një artikull të publikuar në revistën britanike, “The Spectator”, më 15 maj 1880, rrëfehet historia e një revolte shqiptare dhe shfaq vështirësinë që...

Të fundit nga rubrika