Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është pjesë e marrëveshjes, por, sipas tij, nuk është vetë marrëveshja.

Kurti para mediave tha se Kosova dëshiron një plan zbatimi të hollësishëm e konkret, teksa shtoi se ai plan nuk mund të jetë i sekuencuar vetëm për nenin 7.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7”, u shpreh Kurti.

Kreu i Qeverisë tha se ua ka dorëzuar zyrtarëve të BE-së një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë që i kanë bërë marrëveshjes së Brukselit, por thekson se nga ta nuk ka marrë ndonjë qëndrim për ato shkelje.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”, ka thënë ai.

Kurti u shpreh se Kosova është e interesuar për zbatim të plotë të marrëveshjes, por, sipas tij, problemi është te Serbia, e cila sipas tij insiston vetëm te pika për Asociacionin.

“Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pra pa kushte dhe pa vonesa. Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10-të nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7”, ka thënë ai.