Lajmi që e morri në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, duket se e befasoi kryeministrin Albin Kurti. Kështu, ai tha se do të interesohet që më vonë të marrë më shumë informacione.

“Kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kurreshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë, e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, ka deklaruar kryeministri i Kosovws, Albin Kurti.

Kurti, gjithashtu u shpreh i habitur se si Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak, pa kaluar asnjë ditë në Qendrën e Paraburgimit.

Por, këto deklarata të Kurtit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka lëshuar komunikatë, duke theksuar se tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme.

“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, kanw thwnw Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

E ndryshe nga Kurti, djali i ish-policit Dejan Pantiq, Predrag, i është gëzuar vendimit, lajm të cilin tha se e mori nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiq.

“Jemi në pritje të hapave të mëtejshëm, është e rëndësishme për ne që është zyrtare. Na telefonoi një orë më parë presidenti Vuçiq për të na treguar. U jam mirënjohës të gjithëve që ishin ditë e natë në barrikada, zyrtarëve, qeverisë dhe presidentit që mundësuan një hap drejt fitores përfundimtare”, ka theksuar Predrag Pantiq – Djali i Dejan Pantiq.

Ndaj vendimit reaguan edhe dy ministret në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, vendimin e konsideroi akt të rëndë.

“Nuk është se kemi pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi por ama të ndodhë edhe kjo që ndodhi sot është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës”, ka shtuar Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë.

Duke kundërshtuar arrestimin e Pantiqit, grupe të serbëve kanë bllokuar të gjitha rrugët që dërgojnë në Jarinje, e nëpër të cilat Pantiq mund të ishte dërguar në Qendër të Paraburgimit.