Kurti bën homazhe te shtatorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit: Ata janë ndër figurat kyçe të ngritjes së UÇK-së

“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë, bashkërisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës", ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke vendosur lule pranë shtatores së Fehmi dhe Xhevë Lladrovci





Me rastin e 24-vjetorit të rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te shtatorja e tyre në Drenas.

24 vjet më parë, më 22 shtator të vitit 1998, bashkë me luftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata u përballën disa orë me njësi të tëra serbe në Gradinë.

E ngjizur nga dashuria dhe e mbushur me ideale kombëtare e veprimtari politike, lidhja e Fehmiut dhe Xhevës u përmbyll njëkohshëm më 22 shtator 1998, kur të dy bashkë ranë dëshmorë duke luftuar përballë trupave serbe. Atë ditë, bashkë me ta ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.

“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, si të tillë, bashkërisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje, kurse neve na takon ta kujtojmë e ta shkruajmë sot”, ka shkruar Kurti në Facebook.

 

Shtatorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Drenas

Ai ka thënë se që nga vitet ’80-të e tutje, emri i Fehmi Lladrovcit haset kudo ku kishte veprimtari politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

“Por ashtu, siç emri i Azem Galicës rëndom përmendet bashkë me emrin e gruas së tij Shotës, edhe emri i Fehmi Lladrovcit është bërë i pashqitshëm nga emri i gruas së tij Xhevë Krasniqit”, shtoi ai.

E lindur më 1955 në Drenoc të Malishevës, Xheva kishte shumëçka nga Shota, përderisa ishte e bija e Hanife Bujupit dhe Abdyl Krasniqit, mësuesit dhe të burgosurit politik që i kishte nxjerrë eshtrat e Azem Galicës nga shpella ku i kishin fshehur.

Kurse Fehmiu, që kishte lindur më 1956 në Gllanaselë të Drenasit, si i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit, kishte patur për mësues patriotin Fazli Grajqevci.

“Në maj të vitit 1998 në malet e Drenicës dhe me uniformë të UÇK-së, kur ishte pyetur nga një ekip televiziv i BBC-së: “A do të vdisnit për Kosovën?”, Fehmi Lladrovci ishte përgjigjur: “Gjithqysh edhe me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta!”. E thënë me buzëqeshje në fytyrë dhe duke shtërnguar automatikun me duar, kjo përgjigje e Fehmi Lladrovcit është kthyer në një nga deklaratat më të njohura e dhënë nga një ushtar i UÇK-së”, shkroi Kurti.

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci

Ata u njohën më 1981 dhe pas pak kohe u fejuan. Por më 1985, Fehmiu u dënua me 10 vjet burgim. Pas pesë vjetësh e gjysmë burgim të rëndë, ai përfitoi nga një amnesti dhe u lirua.

Fehmiu kishte studiuar për makineri në Zagreb kurse Xheva për gjuhë e letërsi si dhe për drejtësi në Prishtinë.

Ende të sapomartuar, më 1991, ata shkuan në Kroaci ku si pjesë e rezistencës së kroatëve në luftë kundër Serbisë, fituan një përvojë të çmuar që do t’u shërbente në luftën e Kosovës.

Anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së), Fehmiu dhe Xheva iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi. Ashtu siç Fehmiu u angazhua në mobilzimin e diasporës shqiptare, Xheva kontribuoi për mobilizimin e vajzave dhe grave në luftën e Kosovës.





Shija e redaktorit

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar – këtë javë përfundon...

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar mbi ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë,...

Të fundit nga rubrika