Kurti bisedon me Scholzin, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE  

"Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të cilit i ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, në përputhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare.

Po ashtu, Kurti ia ka rikonfirmuar kancelarit gjerman angazhimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë me Serbinë.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në X.

Për këtë telefonatë ka njoftuar edhe zyra e Kryeministrit, ku thuhet se temat kryesore të takimit ishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.

Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Edhe para disa ditësh, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte telefonuar kryeministrin Kurti, të cilit ia kishte përmendur rëndësinë e zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicës serbe në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Kështu ishte njoftuar nga Presidenca franceze, ku thuhet se Macron ia ka rikujtuar Kurtit mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër.  Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’’, thuhet në njoftim.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika