Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Siç ka njoftuar, Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka uruar ministrin Fidan për rezultatet e zgjedhjeve dhe detyrën e re duke i ofruar bashkëpunim të plotë dhe të ngushtë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Turqisë.
Gjatë telefonatës ndërmjet tyre, është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës në kuadër të NATO-s si dhe mbështetjen ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
“U bisedua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me ç‘rast, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës në kuadër të NATO-s si dhe mbështetjen ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Po ashtu, siç thuhet në njoftim, ata kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale me interes të përbashkët.
“Kryeministri i uroi suksese në detyrën e re Fidan dhe e ftoi për vizitë zyrtare në Kosovë. Turqia është vend mik e partner i Republikës së Kosovës e cila është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdimisht mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.
Ndër të tjera, gjatë bashkëbisedimit janë përmendur edhe dronët Bayraktar TB-2, për të cilët, kryeministri Kurti kishte njoftuar janë blerë pikërisht nga Turqia.