Kurti: Brezi i demonstruesve të ’81-tës, shtyllë e grupeve themeltare të UÇK-së
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar demonstratat e vitit 1981 në 44-vjetorin e kësaj ngjarje, duke thënë se megjithëse u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, rebelimi i studentëve është kthyer në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore. Kurti përmes një postimi në “Facebook” shkroi se “të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 […]
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar demonstratat e vitit 1981 në 44-vjetorin e kësaj ngjarje, duke thënë se megjithëse u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, rebelimi i studentëve është kthyer në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” shkroi se “të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”.
Ai tutje ka thënë se pas demonstratave të ‘81-tës shumë organizata politike ilegale kanë fituar forcë, duke e mbajtur gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë.
“Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999. Kështu, parulla popullore ‘Kosova Republikë’, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, ka përkujtuar tutje Kurti.
Ai më tej ka thënë se këto demonstrata duhet të kujtohen me nderime dhe respekt për studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit.















