Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës), ku ka deklaruar se Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj.
“Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
I shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ai ka thënë se kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona.
“Ndër ta është Esat Kryeziu, i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas Kurtit, diaspora e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, teksa ka shtuar ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.
Ndër të tjera, Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar që si në “rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown”.
“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, ka thënë tutje Kurti, njofton ZKM.
Të pranishëm në këtë ngjarje mes shumë personalitetesh ishin edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds, e cila është dhe sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.