Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është bashkuar shteteve perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në reagimet e tyre për dënimin e sulmeve të Rusisë në disa qytete të Ukrainës.

Përmes një shkrimi në rrjete sociale, Kurti ka thënë se çdo shtet që kërkon bashkëpunim me Rusinë është bashkëfajtor për pasojat e pushtimit rus në Ukrainë.

“I bashkohem SHBA-së, BE-së dhe aleatëve tanë të tjerë në dënimin e sulmeve brutale të Rusisë në zonat civile në të gjithë Ukrainën. Sot, bota demokratike duhet të flasë me një zë: Çdo shtet që kërkon bashkëpunim me Rusinë në mes të kësaj lufte të tmerrshme është bashkëpunëtor në pasojat e saj”, ka shkruar Kurti.

I join the U.S., EU, and our other allies in condemning Russia's brutal strikes on civilian areas across Ukraine. Today, the democratic world must speak with one voice: Any state that seeks cooperation w/ Russia in the midst of this horrific war is complicit in its consequences.

— Albin Kurti (@albinkurti) October 11, 2022

Për këdo që ka nevojë për një përmbledhje të ngjarjeve të ditës së hënë, këtu është një përmbledhje e BBC-së për atë se çfarë ka ndodhur në Ukrainë:

-Sulmet e përhapura me raketa në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, vranë 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, thanë shërbimet e urgjencës shtetërore.

-Si pasojë e sulmeve ruse, energjia elektrike u ndal në disa rajone, derisa furnizimet me ujë në disa zona u rrezikuan gjithashtu.

-Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ai e quajti një “sulm terrorist” gjatë fundjavës, pasi një shpërthim dëmtoi urën e vetme që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.

-Presidenti i ShBA-së Joe Biden dënoi sulmet e së hënës me terma të rreptë, duke thënë se ato “demonstrojnë brutalitetin e plotë” të “luftës së paligjshme” të Putinit.

-Ndër vendet e dëmtuara ishin ndërtesa banimi, shkolla, një çerdhe, institucione të kujdesit shëndetësor dhe një shesh lojërash për fëmijë, thanë autoritetet ukrainase.

-Por deputeti rus Evgeny Popov i tha BBC-së se sulmet në vende të tilla si këndet e lojërave u shkaktuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

-Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev paralajmëroi se do të ketë më shumë sulme dhe sinjalizoi se sulmet mund të jenë fillimi i përshkallëzimit të mëtejshëm rus.