Kurti: Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës është aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj
Dorëzimi i instrumenteve për aderim sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP, si e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur. Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka theksuar se ky […]
Dorëzimi i instrumenteve për aderim sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP, si e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.
Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka theksuar se ky anëtarësim është edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës. Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj”, shkroi Kurti.
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare në Hagë.
Kurti është shprehur mirënjohës për angazhimin dhe mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë.
“Shteti ynë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, tanimë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ICMP. Ky aderim, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi. Falënderojmë Qeverinë e Mbretërisë së Holandës për rolin konstruktiv, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, shtoi ai.
Sipas Kurtit, kapacitetet institucionale e profesionale të Kosovës, përmes edhe angazhimit si anëtar në ICMP, do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo.
Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)















