Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais”, ka thënë se Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën.

Ai e ka cituar shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, i cili kishte thënë se Spanja nuk mund të krahasohet me Serbinë.

“Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa probleme që rasti i Kosovës mund të ngrejë në disa zona të Spanjës. Por, siç tha shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin Princi i Asturias: “Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë”, është shprehur Kurti.

Kurti ka folur edhe për tensionet e krijuara me Serbinë. Ai tha se këto tensione ekzistojnë, sepse Serbia nuk i pranon krimet që i ka bërë në luftën e fundit në Kosovë.

Ai i ka përmendur edhe operacionet e fundit të Serbisë në kufi me Kosovën.

“Ka tension të madh, sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë. Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë: 28 janë ushtarakë dhe 20 janë xhandarmëri”, është shprehur Kurti.

Kurti foli edhe për ndikimin rus në Serbi. Sipas tij, marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Serbisë janë intensifikuar kohëve të fundit.

“Që nga viti 2001. Tani ata kanë rritur marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Vitin e kaluar ka pasur 104 aktivitete të përbashkëta ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë. Gazprom zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi, dhe ka një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse në Beograd, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Takimi i fundit mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe Vladimir Putin u zhvillua më 25 nëntor të vitit të kaluar. Në dhjetë vjet ata kanë pasur 19 takime”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti u pyet se a ishte momenti i duhur të merren vendimet për targa dhe për dokumentet hyrje-dalje. Ai u përgjigj duke thënë se shteti i Kosovës ka të drejtë për reciprocitet dhe se Serbia ka qenë fajtore, sepse ka përhapur një fushatë dezinformuese për serbët e veriut.

“Serbia është pajtuar që nga janari i vitit 2018 të mos lëshojë më targa makinash me emra qytetesh në Kosovë. Për më tepër, këto targa makinash janë të paligjshme në vendin tim dhe ne e kemi lehtësuar konvertimin me stimuj financiarë deri në 5000 euro për makinë. Megjithatë, problemi më 31 korrik është për shkak të një fushate të madhe dezinformuese nga Serbia, duke thënë se ne do t’i konfiskojmë dokumentet e udhëtimit të serbëve që vijnë në Kosovë. Nuk është e vërtetë”, ka thënë Kurti.

“Nuk mendoj se duhet ta shohim ligjshmërinë në aspektin taktik. Korrupsionin dhe krimin duhet ta luftojmë në mënyrë normative, jo në kuptimin taktik utilitar. Ne nuk do të kthehemi. Ne do të minimizojmë çdo lloj përdorimi të forcës”, ka vijuar Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se në nëntor do ta vizitojë shtetin e Spanjës.