Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se dallimi etnik nuk shkakton konflikte në Ballkan, por autokracia në Beograd e lidhur me despotin në Moskë.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për rrezikun e sigurisë në Ballkan, por ka shtuar se këtë e di më mirë ShBA-ja.

Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë, ku lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, dhe në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar.

Kështu thuhet nga komunitetit i inteligjencës amerikane në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë.

“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t’i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e publikuar muajin e kaluar.

Në fjalën e tij pas inaugurimit të Qendrës Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, kryeministri Kurti ka thënë se, përkundër sfidave nga fqinji verior, ata janë të vendosur të jenë të kujdesshëm dhe të mos frikësohen.

“Konfliktet nuk janë nderetnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë, jo vetëm në lindje të Evropës, janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta di askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, ka deklaruar Kurti.

“Ne e kemi pasë të qartë që fqinji jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bën të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Ai, gjithashtu, ka shtuar se përpjekjet e Kosovës janë të përqendruara në përgatitjen maksimale për siguri.

Ai, gjithashtu, ka njoftuar investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke prezantuar 15 kamionë multifunksionalë nga një kompani gjermane, ku 10 prej tyre janë blerë me buxhetin e shtetit dhe 5 janë donacion.