Në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar një darkë pune me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane.

Darka është organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Në këtë takim, kryeministrin Kurti e shoqëruan ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Kryeministri i ka uruar mirëseardhje z.Hanrahan në vendin tonë dhe ritheksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i rëndësishëm i Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e pandërprerë dhe vendimtare që kanë ofruar gjatë gjithë këtyre viteve.

Gjatë darkës, temë diskutimi ishin marrëdhëniet bilaterale Kosovë–SHBA në fusha si investimet, diplomacia, mbrojtja dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës.

Kurti konfirmoi angazhimin e Qeverisë për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve strategjike.

Në tryezë u diskutuan gjithashtu zhvillimet politike të fundit, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.