Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar deputetët që kur të takohen me përfaqësuesin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ta paramendojnë Kurtin që e kanë përpara dhe t’i thonë nuk pranojnë asgjë që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk pranojnë asgjë që nuk është marrëveshje finale.

“Kur ta keni Escobarin përpara, thuajini Kosova Republikë, marrëveshje finale, njohje reciproke në qendër, asgjë më pak. Ju inkurajoj që ashtu qysh jeni shumë të vendosur për Kosovën se nuk pranojmë kurrgjë që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk pranojmë kurrgjë që nuk është marrëveshje finale, aman kështu me të njëjtin zell ia thoni Escobarit, jo vetëm mua, kur ta takoni atë paramendojeni që e keni Albin Kurtin përpara dhe thuajini”.

Ai shtoi se ky asociacion është “Asociacion i kryetarit të nderit të LDK-së dhe ish-kryetarit të PDK-së”.

“Kjo duhet të jetë preambula sa herë ta merrni fjalën për Asociacionin”.

Bisedimet mbi bazën e propozimit evropian sipas Kurtit nuk kanë filluar ende.

“Po diskutohet, po bisedohet për propozimin, por jo mbi bazën e propozimit. Nuk do të ketë as nesër, as pasnesër, as në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, sepse nuk ka ftesë, nuk është diçka urgjente”.

“Nuk mund të ketë marrëveshje finale pa pasur bisedime. Nuk mund të presim që të ketë propozim a marrëveshje finale tash. Jemi në fazën e ngërçit të fillimit të fazës së re. Sepse Serbia po dëshiron që nga 33 marrëveshjet ta zgjedhë vetëm Asociacionin. Unë kam interes ta marr dokumentacionin kadastral nga Serbia, por unë i respektoj rregullat e bisedimeve, e ato janë që as unë nuk bën ta përzgjedh një marrëveshje për të cilën kam shumë interes. Arsyeja pse unë nuk e them një marrëveshje tjetër nga ato 33, është në mënyrë që në korpusin e marrëveshjeve të mos e nxjerrim përpara si qerren para kalit. E vetmja gjë që marrëveshjen e Asociacionit e bën të veçantë është që ajo është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese”.

“Propozimi evropian për marrëveshje nuk ka qenë merre ose leje që të thuhet kryeministri e ka pranuar, i kam pyetur a është i tillë, më thanë jo, prandaj them se është bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm”.