Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, palët janë dakorduar për një emër për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Abdixhiku tha se pas diskutimeve të zhvilluara deri më tani, është arritur pajtim për emrin e Bekim Sejdiut.
“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore.
Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka bërë thirrje që pa vonesa të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Kosovës.