Një takim i ngjashëm si ky i para tre muajve synohet të organizohet brenda dy ditësh në Paris ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Për t’i bindur kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë që të ulen në një tavolinë, ndihmë do të ofrojë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Takimi synohet të organizohet në kuadër të Forumit të Paqes në të cilin bashkë me Kurtin po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Paraprakisht, dy liderët kosovarë në ditën e parë të forumit kanë takuar presidentin Macron.

Sipas deklaratës së përbashkët nga Zyra e Kryeministrit dhe ajo e Presidentes, në takim, Osmani dhe Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Më pas presidenti francez ka mbajtur takim edhe me homologun serb, Vuçiq. Ky i fundit pas takimit ka thënë se nuk beson që do të ketë takim të përbashkët me Albin Kurtin.

Ndërsa të premten, Kurtin dhe Vuçiqin do t’i takojë ndaras shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell.

“Objektivi kryesor i këtyre takimeve është që të vazhdojnë përpjekjet e BE-së për të ndihmuar të dyja palët për të deeskaluar dhe zbutur tensionet aktuale dhe për të arritur përfundimisht përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pra kjo është arsyeja kryesore, kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë prej disa kohësh, sidomos që kur ndodhi përshkallëzimi i fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.

Nevojën për një takim Kurti – Vuçiq në kohën kur veriu i Kosovës është tensionuar dukshëm, e konsideron urgjente analisti Artan Muhaxhiri.

Ai shpreson që takimi nëse mbahet të sjellë rezultate.

“Unë mendoj që gjendja është shumë serioze dhe ka potencial shumë më të madh për eksplodim sesa që po tentohet të prezantohet. Kështu që mendoj që edhe presidenti Macron do të kërkojë nga kryeministri Kurti por edhe nga presidenti Vuçiq që t’i ulin tensionet tensionet sepse me këtë tempo, me këtë qasje mund të ketë edhe viktima, edhe shkatërrime”, ka deklaruar Artan Muhaxhiri, Analist.

Herën e fundit, Kurti dhe Vuçiq janë takuar në gusht të këtij viti.