Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten pas Forumit të Bizneseve të Diasporës ka folur për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA).
Kurti ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në ShBA ka qenë për investimet dhe sigurinë në Kosovë.
Ai ka thënë se, shumica e takimeve të tij kanë qenë me kompani të ndryshme, të cilat, siç thotë ai, i ka njoftuar për progresin në Kosovë dhe mundësinë për investime.
Ndër këto, takimet e tij kanë qenë edhe për sigurinë në Kosovë.
“Në dritën e problemeve që kemi në Ballkan, e këto probleme kanë një burim kryesor e që është Beogradi zyrtar, e së fundmi lidhja e ngushtë e tyre që është në lidhje me një shtet që gjendet në luftë, si puna e federatës ruse dhe agresionit të saj në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Ai në vazhdën e diskutimeve në këto takime, ka theksuar se është diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, qëllimi i të cilit mbetet ende i njëjtë, njohja reciproke.
“Qëndrimi dhe qëllimi i palëkundshëm janë që dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënive, ku në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit, ka thënë se ka kërkuar mbështetje për anëtarësim në Aleancën Veri Atlantike(NATO) dhe Këshill të Evropës(KiE).
“Kemi kërkuar mbështetjen për programin e partneritetit për paqe të NATO-s që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO, për mundësitë që na ndihmojnë për anëtarsim në KiE, përvec shteteve anëtare janë edhe shtetet që kanë statusin e vëzhguesit, në mesin e tyre duhet theksuar ShBA, për synimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, është shprehur Kurti.
Ndërsa, sa i përket zhvillimeve politike të fundit rreth vizitës së gjatë të Kurtit në ShBA, ai ka thënë se “Unë kam paralajmëruar që vizita ime në ShBA do të jetë e gjatë, kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, jam takuar me këshilltarin për siguri kombëtare, Jake Sullivan, e që është takim në gërshetim me qëllimin tim të vizitës”.
“Unë ju kam thënë se teksa pyesni se kur po shkon në Amerikë, do të pyesni se kur po kthehesh”, ka shtuar ndër të tjera Kurti.
Për takimin e tij me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jacks Hollivon, Kurti ka thënë se ai është person i informuar dhe i mprehtë, andaj siç thotë ai, takimi me të ishte i një rëndësie të veçantë.