Kurti: Dikush në Bruksel mund të jetë trembur nga paralajmërimet e Beogradit për tërheqje nga dialogu
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikush në Bruksel mund të jetë trembur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se mund të tërhiqen nga dialogu në mes të të dyja vendeve. “Jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me njohje reciproke në qendër. Problemi mbase ekziston te paralajmërimet nga Beogradi, […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikush në Bruksel mund të jetë trembur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se mund të tërhiqen nga dialogu në mes të të dyja vendeve.
“Jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, me njohje reciproke në qendër. Problemi mbase ekziston te paralajmërimet nga Beogradi, se ata do të dalin nga procesi i dialogut. Po bëjnë gabim, por kjo mund ta ketë ndoshta edhe pak trembur dikë në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Ai këtë e ka thënë pas pjesëmarrjes në tryezën “Kosova si shoqëri shumëgjuhëshe”.
Sipas tij, emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është i njoftuar për secilin vendim që merret.
“Edhe Lajçak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve, ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por, problemi mbase qëndron te paralajmërimet nga Beogradi se ata mund të dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, ka thënë ai.
Ai ka thënë ndër të tjera se në korrik pritet takim i kryenegociatorëve.
“Ne në mënyrë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dymujore për ta bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne. Edhe Lajçak është vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona, e di që ekziston një plan për takim në muajin korrik, edhe të kryenegociatorëve, por ndoshta edhe më shumë se aq. Do ta shohim si e sa do të përgatiten në Bruksel për këtë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, shefi i ekzekutivit është përgjigjur edhe për postimet e para disa vjetëve të ministrit të Financave, Hekuran Muratit, në Facebook, për UÇK-në.
Kurti ka theksuar se komentet e kamotshme nuk janë prioritet për të.
“Unë jam kryeministër, por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeverisë vendin për çështjet madhore, çka shkruajnë komentuesit për komentime të para shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, të mërkurën e 29 qershorit, Qeveria në mbledhjen e 85-të ka marrë vendim për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet me targa që bartin akronimet e qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga autoritetet në Serbi. Po ashtu, ka marrë vendim për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
E për këtë ka reaguar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke përdorur gjuhën kërcënuese.
Ai i kishte paralajmëruar “pasoja vdekjeprurëse”, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në kalimin kufitar, dhe ofrimin e shansit të fundit që automjetet me targa të lëshuara nga Serbia të zëvendësohen me ato të Kosovës.















