Kurti: Do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për presidentin

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të respektojnë marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Në mbledhjen e parë të Qeverisë “Kurti 4”, një ditë pas votimit të kabinetit të ri qeveritar në Kuvend, Kurti tha se institucionet tashmë janë funksionale, ndërsa çështja e presidentit mbetet për t’u zgjidhur.

Ai përmendi bllokadat institucionale dhe dy palë zgjedhjet e zhvilluara pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, duke thënë se qytetarët në të dyja rastet kanë dhënë mesazhin e tyre përmes votë

“Sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit. Mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin, urime të gjithëve. Përpara, kemi shumë punë e projekte. Sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkarisht do t’ia dalim mbanë. Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetar, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës 4-vjeçar, kemi pasur 2 palë zgjedhje të paarsyeshme, të pushtueshme, dhe që nuk sollën rezultat tjetër. 10 muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para vitit të ri 2026…

Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për kuvende qeverie. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot, kur po flasim, jemi me kuvend të konstituar e qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha Kurti.

Në cilësinë e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit, Kurti u bëri thirrje deputetëve që ta përmbyllin procesin dhe t’i japin vendit institucionet e plota.

Ai tha se një proces i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime në skenën politike dhe do të ishte, sipas tij, papërgjegjësi ndaj interesit publik.

“Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend dhe në kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë: kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë. Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike. Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetëkonsituimi i kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me qeveri të re, përveçse kuvend të konstituar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, ka shtuar Kurti.

Të fundit nga rubrika