Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 do të mbahet këtë të hënë në selinë e BERZH-it në Londër, ku do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrin pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ky samit synon të prezantojë mundësitë e investimeve dhe të biznesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.

Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji; Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi së bashku të gjithë kryeministrat e rajonit.

Pika kryesore tradicionale e Samitit – “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.