Kurti: Draft-statusi i prezantuar është rezultat i dëshirës për “Republika Srpska” në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se draft-statuti mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe i prezantuar në takimin e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ishte i krijuar nga dëshira për formimin e një “Republika Srpska” në Kosovë. Në një deklaratë për media, Kurti tha se draft-statuti i prezantuar […]
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se draft-statuti mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe i prezantuar në takimin e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ishte i krijuar nga dëshira për formimin e një “Republika Srpska” në Kosovë.
Në një deklaratë për media, Kurti tha se draft-statuti i prezantuar ka dekomisionuar vet ekipin hartues të saj.
“Draft-statuti që prezantoi ekipi menaxhues i cili sonte dekomisionoi vetën me rastin e prezantimit të draft-statutit është rezultat i dëshirës për “Republika Srpska” në Kosovë. Qartazi, ekziston dëshira për ‘Republika Srpska” në Kosovë dhe qartazi, kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka treguar edhe inspirimin e tij mbi “draft-vizionin” e propozuar nga vet ai.
“Ndërkohë që draft-statuti që propozova unë mund të them që është i inspiruar prej një marrëveshje që ka bërë Serbia…marrëveshja e saj me Kroacinë. Serbia me Kroacinë kanë marrëveshje për normalizim të mardhënieve ku parashihen edhe të drejta, dispozita ndërkombëtare mbrojtëse për pakicën kombëtare serbe në Kroaci. Dhe unë jam inspiruar prej atij modeli meqënëse siç dihet nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, Kroacia doli si shtet i pavarur. Edhe ne si Republikë e Kosovës jemi pjesë e të njëjtit proces të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë…”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se draft-statuti i propozuar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ishte fundamentalisht i papranueshëm.
Takimi në mes Kurtit dhe Vuçiq nisi në orën 18:00. Në të u miratua Deklarata për të Zhdukurit.
BE-ja ka publikuar dokumentin e plotë të deklaratës për të Zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë që është nënshkruar në takimin në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në deklaratën e BE-së thuhet se puna do të mbikëqyret nga një Komisioni i Përbashkët që do të kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq.
Po ashtu është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukuruve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.















