Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se në veri të vendit ka disa lloje të grupeve kriminale, të cilat, sipas tij, dirigjohen nga Serbia.

Ai në Kuvendin e Kosovës tha se serbët lokalë janë të shantazhuar e kërcënuar nga grupe të ndryshme kriminale. Sipas Kurtit, Kosova duhet ta mbrojë komunitetin serb nga “milicia fashiste”.

“Më vjen keq që serbët detyrohen të dalin në protesta, sepse ata janë njerëzit më të palirë në Kosovë. Për shkak të Beogradit, jo për shkak të Prishtinës. Ata duhet të çlirohen nga një milici fashiste. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste, ne duhet t’i ndihmojmë të çlirohen nga milicia fashiste, jo të dorëzohemi përballë tyre”, ka thënë ai.

Kurti tha se në veri ekzistojnë tri lloje të grupeve që protestojnë, një sipas tij është mbrojtja civile, e cila, sipas tij, e adhuron Millosheviqin, e dyta është administrata publike, e cila, sipas tij, kërcënohet me vend të punës dhe e trete siç i ka quajtur kompanitë e Radojciqit dhe Veselinoviqit.

“Nuk mund t’i mbyll sytë kur grupet kriminale të llojit fashist, kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës, jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë janë pjesë e grupeve të tilla. Por, për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit, janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve kriminale. Janë tri kategori. Kategoria e parë është mbrojtja civile, pjesa ekstremiste, që e admiron Millosheviqin e Putinit. Kategoria e dyte nga administrata publike që nëse nuk dalin e humbin punën. Janë kompanitë e Radojciqave dhe Veselinoiqave që i japin pushim punëtorëve me kusht të marrin pjesë në protesta, ia kushtëzojnë pjesëmarrjen”, ka thënë ai.