Kurti: Duke rritur pjesëmarrjen aktive të grave në shoqëri krijojmë premisat për një shoqëri të barabartë
Në takimin e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se fuqizimi i grave është vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm. “Me rritjen e përfshirjes e pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare dhe rritjen e qasjes në […]





Në takimin e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se fuqizimi i grave është vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Me rritjen e përfshirjes e pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare dhe rritjen e qasjes në fonde publike, zvogëlohen pabarazitë dhe hendeqet në zhvillim. Kështu krijojmë premisat kryesore për një shoqëri të barabartë, ku gratë dhe burrat, përfitojnë dhe gjithashtu kontribuojnë në mirëqenie, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri në vend”, ka thënë kryeministri Kurti.
Tutje kryeministri Kurti ka thënë se kanë dizajnuar masa specifike në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim.
“Pasiguria ekonomike është një prej faktorëve kyçë që i mbanë gratë dhe vajzat larg zhvillimit të qëndrueshëm, mirëqenies dhe prosperitetit”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Më tej, ai ka theksuar se përmes integrimit gjinor në këtë pako është mbështetur punësimi i grave ku kanë përfituar 3 mijë e 500 gra dhe një mijë e 490 biznese.
“Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar e tejkalon 3 milionë euro. E në bujqësi, për vitin 2021, kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese”.
“Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë; dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona.
Mes tjerash njoftohet se për vitin akademik 2021/2022, qeveria i ka ndarë rreth 1000 bursa për gra dhe vajza për studime në STEM, e për vitin tjetër kanë rritur buxhetin dhe numrin në 2000 bursa.
“Nga një milionë euro në dy milionë euro, nga një mijë bursa në dy mijë bursa. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara dhe kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.
Kryeministri Kurti ka theksuar mbështetjen për procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si një prej parakushteve të ndërtimit të paqes se qëndrueshme të vendit.
“Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevojë edhe për përkrahjen tonë shoqërore, për të luftuar stigmën e cila vazhdon t’i përcjellë”.
Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjitha institucionet, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë dhe organizatat e grave, të cilët kanë kontribuar në zbatimin e prioriteteve të vendosura në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore.
Tutje në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në këtë takim gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, janë prezantuar dy hulumtime “Roli i grave në pozitat vendimmarrëse në sektorin publikë dhe privat” dhe “Stereotipet gjinore dhe barrierat që pengojnë qasjen e barabartë në sport”.




















