Kurti: Dyfishuam ushtrinë dhe trefishuam buxhetin për mbrojtje, po forcojmë lidhjet me NATO-n
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës në Poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës, ku po zhvillohet ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 25”, theksoi përparimet e mëdha që ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai tha se numri i ushtarëve është dyfishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, ndërsa buxheti për mbrojtje është trefishuar […]
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës në Poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës, ku po zhvillohet ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 25”, theksoi përparimet e mëdha që ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ai tha se numri i ushtarëve është dyfishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, ndërsa buxheti për mbrojtje është trefishuar në tre vitet e fundit, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe vendet partnere.
“Kemi arritur që të tregojmë, të demonstrojmë fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi me NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin, të cilin do ta japim”, u shpreh Kurti.
Në ushtrimin “Defender Europe 25” marrin pjesë 29 vende, ndërsa Kosova ka qenë nikoqire së bashku me 17 shtete të tjera dhe ka dërguar 938 ushtarë të FSK-së.
Kryeministri gjithashtu bëri me dije se poligoni në Babaj të Bokës, me sipërfaqe 4500 hektarë, është shndërruar në një nga zonat më të mira për stërvitje në rajon, falë investimeve të vazhdueshme.
“Sepse ne e kemi dyfishuar numrin e ushtrisë, i kemi katër fishuar trajnimet jashtë vendit, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje, gjithnjë me SHBA-në dhe vendet partnere. Ju e patë se sa të zotë janë ushtarakët tanë, jemi në një poligon që si zonë e trajnimit po bëhet ndër më të mirat në rajon”, tha mes tjerash Kurti./EO















