Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet ta zhvillojnë takimin e dytë në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Para nisjes së takimit, Abdixhiku u ndal shkurt para gazetarëve, duke bërë të ditur se do të deklarohet për media pas përfundimit të bisedës me Kurtin.
Në anën tjetër, Kurti foli shkurtimisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se përgjegjësia për këtë proces nuk i takon vetëm shumicës parlamentare.
Ai tha se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e partive opozitare dhe se, për këtë proces, qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë.
Takimi i së martës është i dyti mes Kurtit dhe Abdixhikut në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve.
Takimi i parë ishte zhvilluar javën e kaluar, ku të dy liderët ishin shprehur optimistë për vazhdimin e dialogut, ndërsa bisedimet u pezulluan për shkak të mbajtjes së Kuvendit të LDK-së.
