Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke thënë se po përdor standarde të dyfishta.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjykata në fjalë është vonuar 30 ditë për adresimin e padisë së asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në komunën e Prishtinës, për anulimin e kontratës për ndërtimin e përbashkët të objektit banesor afarist, ndaj Ndërmparrjes Publike Banesore, Made Group Construction, Arkos, dhe Madekos Sh.P.K.

Kurse sipas Kurtit, gjykata ka vendosur për tri ditë në lidhje me padinë e Partisë Demokratike të Kosovës, për tarifat e energjisë elektrike.

Po ashtu, sipas Kurtit, gjykata e ka trajtuar për 48 orë kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, ka deklaruar Kurti.

“Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë.  Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh”, ka vijuar ai.

Në fund Kurti, i ka shtruar tri pyetje drejt Gjykatës Themelore të Prishtinës:

“Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?

Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve?

Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?”.