Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla kanë udhëtuar të enjten për në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Konferenca tashmë ka filluar dhe pritet të zgjasë tri ditë.

Në këtë konferencë marrin pjesë presidentë, kryeministra, eurodeputetë e deputetë nga shtete të ndryshme.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se Gërvalla, përveç pjesëmarrjes në panelet e diskutimit të konferencës, do të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës, eurodeputetë, deputetë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave.

Në një deklaratë, MPJ ka theksuar rëndësinë e Konferencës së Mynihit si një nga ngjarjet më të mëdha lidhur me sigurinë globale, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit.

Gjithashtu, theksohet se ky forum ofron një mundësi të mirë për prezantimin e qëndrimeve, diskutimin e sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe koordinimin e veprimeve me shtetet aleate për ruajtjen dhe promovimin e sigurisë në rajon, Evropë dhe botë.

Konferenca e Sigurisë së Munihut nis më 16 shkurt, në një kohë kritike përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump.

Punimet e kësaj konference po mbahen edhe në kohën kur në Kongresin Amerikan ka ngecur një paketë për ndihmë ushtarake për Ukrainën.