Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, kanë zhvilluar të premten një takim në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
Pas takimit, të dy liderët e vlerësuan diskutimin si konstruktiv, megjithatë konfirmuan se nuk është arritur ndonjë dakordim për bashkëpunim.
Kurti tha se takimi me Hamzën ishte i pari në kuadër të këtij raundi të konsultimeve, duke theksuar se PDK është subjekti i dytë politik për nga numri i deputetëve në Kuvend.
“Me kryetarin Hamza u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve meqenëse është edhe numri i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje. E falënderoj kryetarin Hamza. Takimi ishte konstruktiv në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja në përputhje me vullnetin e popullit. S’kemi ndonjë rezultat konkret, të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, deklaroi Kurti.
Ai shprehu shpresën që fryma e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në takimet e ardhshme, në mënyrë që institucionet të konstituohen brenda afateve kushtetuese.
Në anën tjetër, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se partia që drejton nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe se do ta ushtrojë rolin e opozitës gjatë këtij mandati.
Hamza tha se PDK kishte hyrë në zgjedhje me një program të fokusuar në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, rritjen e pagave e pensioneve, si dhe investimet në energji dhe infrastrukturë. Ai rikujtoi se partia kishte qenë e hapur për bisedime pa vendosur vija të kuqe, por se pas diskutimeve me Kurtin, qëndrimi mbetet i pandryshuar.
“Pastaj për me u zbatu këto prioritete, kemi thënë që Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Është e hapur, dhe është e hapur për të biseduar, pa u imponuar, për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, tu i përfshi të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat që i kemi pasë, dhe në diskutimet që i kemi pasë, normalisht korrekte, normalisht korrekte, qëndrimi jonë është që Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, tu i përfshi të gjitha institucionet, se përveç Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, kështu që matematikisht ka mundësi me u bë kompletimi i të gjitha institucioneve, dhe këtu do të thotë është pozita e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Më vonë gjatë ditë Kurti pritet ta takojë edhe kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun.