Kurti: E kemi ngritur të ndërkombëtarët çështjen e dosjeve të klasifikuara në Serbi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ngritur te faktorët ndërkombëtarë çështjen e dosjeve të klasifikuara në Serbi, pas zbulimit të varrezave masive në Kalludër të Zubin Potokut dhe në Jabukë.

Kurti ka ritheksuar se gjatë katër javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive – dy në Kalludër dhe një në Jabukë. Sipas tij, në varrezën e parë në Kalludër janë gjetur së paku 13 mbetje mortore, ndërsa më pas janë zbuluar edhe gjashtë të tjera. Dy lokacionet në Kalludër ndodhen rreth 300 metra larg njëri-tjetrit, ndërsa rreth një kilometër më tej, në fshatin Jabukë, janë zbuluar mbetjet e së paku katër personave.

“Ne edhe me zbulimin e këtyre mbetjeve të reja mortore të varrezave të vjetra të pranverës së vitit 1999 e kemi ngritur te faktorët ndërkombëtarë çështjen e dosjeve të cilat janë të klasifikuara në Serbi”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për dosje që dihen se ekzistojnë dhe jo për dokumente të panjohura. Në veçanti, Kurti ka përmendur dosjen e arkivuar nga shteti i Serbisë për Brigadën e Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila, sipas tij, në vitin 2014 është klasifikuar për një periudhë prej 30 vjetësh.

“Cili është kuptimi i këtij klasifikimi? Përshtypja ime është që nuk ka domethënie tjetër përveçse të sigurohen që personat që kanë qenë në atë brigadë të motorizuar, me kalimin e dekadave, ose nuk do të jenë më të gjallë, ose do të jenë tepër të moshuar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, krimet janë kryer gjatë pranverës së vitit 1999, ndërsa afati i klasifikimit të dokumenteve do të përfundojë në vitin 2044.

“Sepse ata krimet i kanë kryer në pranverën e vitit 1999 dhe 45 vjet më vonë, në vitin 2044, me shumë gjasë shumica e tyre nuk janë të gjallë më. Prandaj ne nuk duhet ta presim vitin 2044”, ka deklaruar Kurti./EO

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika