Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e quajtur atë një “shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara”.

Në një intervistë për Tëvë1, Kurti tha se PDK nuk është reformuar dhe, sipas tij, ka më shumë se një lider. Ai përmendi emrat e Memli Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut si figura që ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në parti.

“Unë prej përvojës politike, prej lajmeve e kam të qartë se Partia Demokratike e Kosovës nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose katër ose pesë kryetarë. Nuk e di a i ka katër a pesë, por jam i sigurt që si ka tre, as dy as një. PDK e di prej përvojës nuk është parti, është shoqëri aksionare me papërgjegjësi të pakufizuara. Aty nuk merresh vesh pse ke fol me një person. Prandaj Enver Hoxhaj thotë diçka tjetër. E patë në një emision çka tha kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci për Sami Lushtakun, prindin e një deputeti të PDK-së. Janë edhe dy ish-kryetarët në Hagë të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh për instruksione politike,” deklaroi Kurti.

Ai akuzoi PDK-në se ka ndikim të thellë në institucionet e drejtësisë dhe në media, duke shtuar se me një subjekt të tillë nuk mund të ndërtohet një shtet demokratik.