Në përvjetorin e luftës në Ukrainë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se populli i Kosovës e njeh nga afër dhimbjen e luftës, dëbimit dhe humbjes, por edhe forcën për t’u rimëkëmbur dhe për t’u bërë më i fortë.

Ai ka deklaruar se kjo forcë po shihet sot te populli ukrainas, i cili prej vitesh po përballet me agresionin rus dhe pasojat e rënda të luftës. Sipas tij, përvoja e Kosovës e bën solidaritetin me Ukrainën jo vetëm politik, por edhe njerëzor.

Në Zyrën e Kryeministrit është pritur një grup grash nga Ukraina, të cilat kanë marrë pjesë në një trajnim të organizuar në Kosovë për deminim dhe pastrim të mjeteve shpërthyese.

“Kosova u ngrit nga hiri i luftës për t’u bërë një vend sovran, demokratik dhe i sigurt, sepse populli ynë refuzoi të dorëzohej. Po këtë forcë e shohim sot në Ukrainë.

Në shënim të përvjetorit të luftës në Ukrainë, sot pritëm në zyrën e Kryeministrisë gra nga Ukraina që morën pjesë në trajnimin e organizuar për deminim dhe pastrim të mjeteve shpërthyese. Pjesë e këtij takimi ishin edhe gazetarë nga Ukraina që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në kuadër të programit JiR të mbështetur nga qeveria jonë.
Edhe pas katër viteve të përpjekjes së Rusisë për të pushtuar Ukrainën, ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës me empati dhe solidaritet. Qytetarët e Kosovës e njohin dhimbjen e dëbimit dhe humbjes, por gjithashtu e dimë se vendet mund të rindërtohen, të shërohen dhe të dalin më të forta. Besojmë se edhe Ukraina do ta bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar Kurti.