Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), se kjo ngjarje shënoi një moment të fuqishëm të kryengritjes, solidarizimit dhe vetëdijësimit.

“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe në mërgatë. Po ashtu, u vetëdijesua dhe ndërgjegjësua edhe publiku shqiptar dhe diplomacia botërore”, ka deklaruar Kurti.

Kurti, duke përmendur figurat e familjes Jashari, ka theksuar se ata janë gjithmonë të pranishëm në kujtesën kolektive dhe se rënia e tyre është vetë Epopeja e UÇK-së.

“Ndonëse nuk i kemi më kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat dhe do ta vizitojmë, me shtëpinë plot nipa e mbesa. Por mbi të gjitha, kemi Kosovën Republikë të pavarur, një Republikë me demokraci dhe zhvillim”, ka theksuar ai.