Kurti: Është gabim që opozita mos ta votojë buxhetin vetëm pse është opozitë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po mendon që vetëm pse është opozitë, të mos e votojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2025. “Ne jemi optimist gjithmonë dhe besojmë që do t’i kalojmë të dy leximet për projektbuxhetin e vitit 2025, është një buxhet zhvillimor dhe i mirëqenies, dhe […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po mendon që vetëm pse është opozitë, të mos e votojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2025.
“Ne jemi optimist gjithmonë dhe besojmë që do t’i kalojmë të dy leximet për projektbuxhetin e vitit 2025, është një buxhet zhvillimor dhe i mirëqenies, dhe unë mendoj që është gabim nëse opozita vetëm për shkak se është opozitë konsideron që duhet të mos e votojë projektligjin për buxhetin 2025. Me këtë rast po zhvillohet debati në Kuvend, dhe besoj që nëse jo në orët e pasdites së vonë atëherë më së largu në orët e mbrëmjes do ta marrim vesh se kush prej deputetëve do të qëndrojë e si do të votohet”, ka deklaruar Kurti para mediave të hënën.
Kurti: Kosova do të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane
Mes tjerash, Kurti ka thënë se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.
Ai ka shtuar se Kosova bashkëpunon me ShBA-të në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me përkushtim e seriozitet.
Siç ka potencuar Kurti, Qeveria dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-të, sidomos në aspektin diplomatik, si dhe atë të mbrojtjes, ekonomisë dhe sigurisë.
“Ne punojmë me administratën e SHBA-ve, pavarësisht se cila parti është. Këtë e kemi traditë që na kanë sjellë SHBA-të”, ka thënë Kurti duke përmendur delegacionet amerikane që kanë ardhur në Kosovë gjatë periudhës së viteve 80-ta dhe ato 90-ta me përbërje nga demokrat dhe republikanë.
“Çlirimi na erdhi me presidentin demokrat, kurse pavarësinë kur në administratë ishte president një republikan. Kjo flet shumë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se Kosova do të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane.















