Kryeministri i Kosovës ka folur për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën ka thënë se është dashur të fillojë të zbatohet dje, por, më tej, ai është ankuar që Serbia nuk është palë konstruktive, se deklaron që nuk do ta zbatojë marrëveshjen bazë.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillojë qysh dje, për shkak se dhe plani i zbatimit thotë që nuk ka një afat në të ardhmen kur do të duhej të fillojë zbatimi i marrëveshjes, edhe marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduar”, ka thënë Kurti.

Më tej, ai ka thënë se është duke pritur që sjellja e Serbisë të gjykohet dhe të dënohet nga faktorët ndërkombëtarë.

“Sjelljen e Serbisë, e cila thotë se kur zhvillohen takime thotë se nuk nënshkruaj, e ndërmjet takimeve thotë që nuk zbatojë gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasë sikur kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”.

“Kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë aleatët, miqtë tanë, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë e të përkushtuar e kreativë si asnjëherë”, ka thënë Kurti.

Ndër tjera, Kurti ka folur për vetëmenaxhimin e komunave me shumicë serbe.

“Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë. Për të tjerat me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u mbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës”, ka deklaruar kryeministri Kurti.