Kurti flet për sukseset në politikën e jashtme: Puna ka qenë e madhe, e gjatë dhe e pareshtur

Përderisa opozita gjithëherë ka thënë se Kosova nuk ka sukses në politikën e jashtme të saj, ndryshe mendon i pari i vendit, Albin Kurti. Ai i ka listuar disa nga të arriturat në këtë dikaster, derisa është shprehur se puna ka qenë e madhe, e gjatë dhe e pareshtur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këtë vit e kemi filluar pa viza e me pasaportë shumëfish më të fuqishme, të cilën nga janari na e njeh edhe Spanja.

Kurti ka thënë se vitin e katërt në qeverisje e filluan “me lajmin e mirë” për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

“Po vazhdojmë me lajmin tjetër të mirë që morëm dje nga mbledhja e Komitetit për Çështje Politike, në procesin tonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës – si shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare në kontinent. Më 18 prill na pret Asambleja Parlamentare dhe një muaj më pas, në maj mbledhja e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare. Nga të dyja presim lajme të mira, pra që Kosova të anëtarësohet, dy vjet pas dorëzimit të aplikimit. Këto janë vetëm disa prej rezultateve. Sepse puna ka qenë e madhe, e gjatë dhe e pareshtur”, ka thënë kryeministri.

Ai ka thënë tutje se gjatë këtyre vjetëve krahas Këshillit të Evropës, kanë aplikuar edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ndërkohë që jemi anëtarësuar në gjithsej shtatë organizata ndërkombëtare: ndër to në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYC) e Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Administrative (IIAS). Subjektivitetin tonë ndërkombëtar e fuqizuam edhe përmes avancimit të marrëdhënieve bilaterale. Vendosëm marrëdhënie konsullore dhe hapëm misionin e parë në Poloni; hapëm Misionin Special në Selinë e Shenjtë të Vatikanit; vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor; rikthyem marrëdhëniet diplomatike me Palaun pas pesë vjetëve mungesë; ngritëm përfaqësimin në Çeki në nivel të ambasadorit të plotfuqishëm; dhe avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, nga “Zyre e Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” në “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Luftuam me sukses fushatën e Serbisë për çnjohje”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Më tej, ai ka shtuar se kanëmbajtur mbi 40 konsultime politike me vende të ndryshme, i kanë thelluar marrëdhëniet me shumë shtete edhe përmes emërimit të atasheve të mbrojtjes, numri i të cilëve është rritur për 50%.

Sipas tij, brenda tri vjet qeverisje kanë nënshkruar mbi 230 marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale të karaktereve të ndryshme. Prej tyre marrëveshje bilaterale me vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Austria, Republika Çeke, Portugalia, Luksemburgu, Zvicra e Danimarka.

“Objektet e ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Senegal, Kroaci dhe Strasburg i blemë për t’i bërë pronë të Kosovës, shtëpi të përhershme të Republikës sonë dhe për të nderuar marrëdhëniet tona me këto shtete. Në plan për blerje janë edhe objektet e ambasadave në Gjermani, Francë, Itali, Kanada dhe Turqi. Kjo është hera e parë që një qeveri që prej shpalljes së pavarësisë bën një investim të tillë që përveçse ka arsyeshmëri financiare ka edhe simbolikë të fuqishme politike”, ka theksuar ai.

Tutje, Kurti është shprehur se në objektin e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë vendosur ligjshmërinë, shfuqizuar vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme.

Dhe pse kryeministri i vendit është duke u krenuar dhe mburruar për punën që e ka bërë gjatë këtyre tri vjet të qeverisjes, kujtojmë që opozita gjithmonë ka pasur një qasje kritike krahas Qeverisë, lidhur me politikën e jashtme të vendit, duke kritikuar kështu ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla se është e paaftë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika