Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar të martën ftesë për takim të gjithë liderëve të partive opozitare, mëson Dukagjini nga burimet e veta.
Sipas burimeve të Dukagjinit, ftesat u janë dërguar krerëve të subjekteve opozitare me qëllim të zhvillimit të bisedimeve për situatën aktuale politike dhe mënyrën e tejkalimit të ngërçit institucional.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i pakonstituar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e procesit.
Në qendër të ngërçit mbetet edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Për dy rundet e para të votimit kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallë.
Deri tani, Kurti ka zhvilluar disa takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por marrëveshje nuk është arritur. Ndërkaq, PDK-ja dhe Aleanca kanë pasur qëndrime më të rezervuara ndaj ftesave për takime me Kurtin.