Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit dhe transparencës, duke vepruar gjithmonë në përputhje me planet zhvillimore dhe në të mirë të qytetarëve.

Ai u shpreh se institucionet janë të hapura për komunikim me çdo palë që ka paqartësi, ndërsa ritheksoi se ndërtimi i urave të reja mbi lumin Ibër është simbol i lidhjes dhe afrimit mes komuniteteve.

“Unë gjithmonë jam për ura bashkëpunimi dhe marr pjesë në takime. Gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona dhe në të mirë të qytetarëve. Ata që kanë dilema, mund të na kontaktojnë lirisht. Ju e dini qëndrimin tonë – jemi për hapje dhe për ura lidhëse, përfshirë edhe urën kryesore mbi lumin Ibër. Aktualisht atje ka vetëm njësi të policisë, dhe natyrisht, edhe ajo urë do të hapet”.

Vlen të theksohet se Kurti, së bashku me përfaqësues të dy komunave të Mitrovicës dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë vendosur të martën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.