“Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit, e jo për mësimdhënësin dhe arsimin”

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e 22 shtatorit në Kuvendin e Kosovës ku po debatohet në lidhje me grevat e përgjithshme nga BSPK.

Ai ka thënë se nuk është e mundur të ketë një dialog social, kur menjëherë kur krerët e sindikatës dalin nga takimi thonë “greva vazhdon” ende pa u konsultuar me anëtarësinë.

“Në vend se t’u thonë mediave diskutimi vazhdon, u thanë greva vazhdon”.

Sipas Kurtit, ky nuk është dialog social, social është por dialog nuk është.

E krejt në këto takime, shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk ka munguar as komunikimi as dialogu, por sinqeriteti.

“Për mua është e qartë se nuk janë viktima krerët sindikalë, as qeveria, as deputetët, por nxënësit, arsimi dhe e ardhmja e shtetit”, ka vijuar kryeministri.

Sipas tij, për punën e grevave ka vazhdimisht viktimizime individuale që mundohen të zhvendosin vëmendjen.

Në lidhje me këtë ai ka përmendur se kur ishte në takim në Bruksel, në Kosovë ishin shpallur grevat.

“Kishim një kryeministër i cili po negocionte me fqinjin verior agresiv dashakeqës, ndërsa në shtëpi ishte paralajmëruar greva”.

“Dy deputetë që e thanë të vërtetën e kësaj polemike në Kuvend, Ferat Shala dhe Pal Lekaj”, ka vijuar Kurti.

Ai ka thënë se këta deputetë treguan qartë “se e kanë me mua e jo me arsimin”.

Ndërsa, Kurti, ndër të tjera, ka thënë se vëllezërit janë për te shtëpia e jo për në zyrë të kryeministrit, gjë për të cilën ishte kritikuar kur kishte takimin me kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili i kishte thënë “më ndihmo si vëlla”.

“Vëllezërit janë për te shtëpia, ka kaluar koha kur kryeministri bëhet me vëllezër”, ka vijuar Kurti.

Ai ka thënë se pakoja e ringjalljes ekonomike është për mbështetjen e inflacionit dhe për shportën ushqimore, ndërsa ligji i pagës është për rrogë të mësimdhënësit.

“Me mbështetjen e inflacionit derisa të kalojë projektligji për pagat na jepni 100 euro në muaj, e kemi bërë ridimensionimin ndryshe, arsyetimi thotë kështu: Është shtrenjtuar shporta elementare, m’i jep 100 euro për muaj derisa të bëhet ligji për paga”

Sipas Kurtit, ligji për pagat duhet të lidhet me shkumësin e dërrasën e zezë, sepse për këtë merret paga, për punë e jo për shportë ushqimore.

“Mësimdhënësi thotë ma rrit pagën, se duhet të merrem me familjen”, është gabim, sepse me të merret shteti, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se nuk është kryetar i SBASHK-ut, prandaj prej tij duhet të pritet qasje dhe pikëvështrim hollistik dhe organik për të gjithë.