Kurti habitet me vendimin në rastin e Pantiqit: Ai e ka statusin e të paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kureshtar se cili prokuror e ka shtruar kërkesën që ish-polici serb, Dejan Pantiq, nga paraburgimi të dërgohet në arrest shtëpiak, dhe njëkohësisht cili gjyqtar e ka aprovuar kërkesën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas raportimit se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, është shprehur kureshtar se cili prokuror e ka shtruar këtë kërkesë dhe cili gjyqtar e ka aprovuar atë.

Kështu ka thënë ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, jam kureshtar se cili është ai prokuror që e bën kërkesë dhe cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, është shprehur Kurti.

“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dënohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit, por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë kam dëgjuar është se meqë ishte në grevë të urisë, dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, shtoi Kurti.

Avokati i Dejan Pantiqit, Nebojsha Vllaiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia [e Kosovës] është e obliguar që të transferojë Patiqin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

Ndryshe, ish-polici serb, Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiqit nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiq po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës.

Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiqit.

EULEX-i i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 23 dhjetor se ende po e shqyrton mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiqit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Pantiqit trajtimin e duhur shëndetësor, por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 22 dhjetor se ai gëzon shëndet të mirë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika